Teksti dhe muzika kanë qenë të Sidrit Bejlerit, orkestrimi i Shpëtim Saraçit, ndërkohë regjia e videoklipit të këngës më të re të Vllaznisë, ka qenë e shkodranit tjetër Eduard Grishaj. Ai ka qenë i ftuar në emisionin “Procesi Sportiv” për të folur më shumë në lidhje me këtë projekt të veçantë për të cilin është shprehur:

“Ideja për këngën ka qenë e sponsorit të Vllaznisë Alban Xhaferi. Nëse ai do të kishte mbledhur në skuadër futbollistët më të mirë të Shkodrës, ashtu siç mblodhi artistët më të mirë për të bërë këngën, do të kishte qenë sërish 10 pikë plus nga ekipet e tjera.

Për këtë këngë ishim bashkë me Shpëtim Saraçin, Sidrit Bejlerin dhe bëmë diçka jo vetëm për Vllazninë e sotme sepse kuptohet që historia e kësaj skuadre nuk është vetëm kjo e 2021-shit, por ka mbi 100 vite jetë.

Mund të them se kemi bërë një mini-dokumentar me të gjithë momentet më të bukura të kësaj skuadre në vite sepse të gjithë e dinë shumë mirë se çfarë emrash kanë dalë nga futbolli shkodran dhe kjo traditë në fakt vazhdon.

Fatkeqësia është se dikur lojtarët më të mira na i merrte Dinamo e Partizani, ndërsa tani na i marrin ekipet e huaja dhe prandaj skuadra ka patur këto probleme vitet e fundit. Unë mendoj se kjo këngë do t’i ndihmojë lojtarët aktualë të Vllaznisë për të ecur përpara sepse vetëm duke parë të shkuarën mund të bësh më mirë në të ardhmen”./SHKODRA-SPORT.COM/