Durrsakët kanë nisur javën e dytë përgatitore për duelin e së shtunës përballë Kastriotit. Mbrojtësi i krahut të majtë, Esin Hakaj, në një prononcim për “Panorama Sport”, flet për ecurinë e Teutës, por edhe për etjen që ka ky grup në këtë sezon.
Mbrojtësi shkodran analizon pragndeshjen me Kastriotin, si dhe sqaron pse pësojnë shumë.
Si është atmosfera në skuadër, pasi nga jashtë duket entuziaste?
Atmosfera është pozitive pas ndeshjeve të fundit, por ne gjithmonë jemi me këmbë në tokë për të mos përsëritur gabimet.
Kastrioti ndodhet në vend të 9-të dhe tani shikon drejt shpëtimit. I druheni kundërshtarit në këtë situatë ku ndodhen dy ekipet?
Ne jemi Teuta, duke parë klasifikimin nuk i trembemi asnjë kundërshtari. Ne zbresim në fushë gjithmonë të motivuar, vetëm për rezultat pozitiv. Kastrioti nuk bën përjashtim.
Statistikat në ndeshjet e fundit me krutanët flasin për Teutën, një element më shumë për të marrë maksimumin?
Është një element tregues, megjithatë ne duhet të fokusohemi vetëm te ndeshja e së shtunës. Do të japim më të mirën në fushën e blertë dhe besoj se do të dalim me një rezultat pozitiv.
Pika më e fortë e skuadrës, sipas jush, cila është?
Pika më e fortë është pa dyshim fryma e grupit. Jemi të gjithë shumë të bashkuar. Çdo ditë dhe gjithmonë kemi punuar shumë fort, të gjithë për të dhënë maksimumin.
A jeni i kënaqur me formën që po kaloni, pasi jeni kthyer në titullar të padiskutueshëm?
Besoj se jam në një formë të mirë dhe shpresoj që të vazhdoj kështu. Me këtë synim kam ardhur këtu, për të luajtur dhe ndihem mirë. Shpresoj që si në aspektin individual, edhe atë ekipor, të kemi sukses dhe rezultate pozitive.
Problemi i Teutës është mbrojtja, pse pësoni kaq shumë?
Kjo ndodh sepse na merr “uria” për të fituar ndeshjet dhe lëmë hapësira mbrapa. Tani po punojmë shumë që të mos bëjmë më gabime të tilla.