Teuta do të presë këtë fundjavë në Durrës skuadrën e Kukësit. Takimi që është planifikuar për t’u zhvilluar ditën e premte, pritet me mjaft interes nga të dyja kampet, për vetë synimet që kanë skuadrat. Esin Hakaj, një nga lojtarët e spikatur të durrsakëve, ndonëse disa herë ka pasur si “kundërshtarë” dëmtimet, falë vullnetit dhe sakrificës ja ka dalë, e madje në këto takime të para zyrtare të Vitit 2019 po luan mjaft mirë. Në një intervistë të dhënë për “Vipsport.al”, Esin Hakaj, flet për synimet që ka ai dhe Teuta këtë sezon…

-Hakaj, këtë sezon kemi parë një Teutë ndryshe dhe me shumë ambicie. Cilat janë synimet tuaja?

Synimet e Teutës dihet, jo më kot edhe në merkato janë afruar kualitete, plus është bërë një punë mjaft e mirë që në verë. Mendoj se do të rivalizojmë deri në fund dhe kam besim se do të kapim një vend në Kupat e Evropës.

-Por, javët e fundit keni pasur oshilacione. A ndërlikojnë pozitat tuaja?

Normalisht që është mirë që të fitojmë në çdo ndeshje, por futbolli kështu e ka. Ne mundohemi që të bëjmë më të mirën tonë në çdo fushë. Pastaj në pjesën e dytë të sezonit dhe sidomos në ndeshjet e para, ekipet bëjnë atë “sprintin”, sepse fillojnë e ndahen rrugët për objektivat që kanë. Por, nuk besoj se do të rrezikojmë sepse Teuta ka kualitete dhe unë besoj se në fund do të jemi në Evropë.

-Si ju duket rivaliteti këtë sezon në Superiore?

Gara është shumë e fortë ashtu si çdo sezon dhe ekipet janë afër me njëri-tjetrin. Besoj se konkurrenca do të jetë e madhe dhe do të vijojë deri në fund të garës, si për kreun ashtu edhe për fundin dhe ekipet që duan mbijetesën.

-Teuta ka bërë shumë afrime, a të tremb konkurrenca?

Janë bërë disa afrime cilësore, lojtarë me “CV” të pasur dhe eksperiencë, por mua më bën mirë. Unë jam i ri, karriera ime sapo ka nisur. Ndonëse kam provuar që të luaj me Vllazninë, Partizanin e tashmë në Durrës. Mendoj se kjo eksperiencë te Teuta do të më vlejë shumë për karrierën…

-E ardhmja e Hakajt, afër apo larg Teutës?

Është ende herët, jam i përqendruar te ndeshja e radhës me Kukësin dhe synimet që ka skuadra. Të luaj në Evropë, pastaj të shohim…/vipsport/