Abdurrahman Fangaj zhbllokoi takimin në pjesën e parë dhe u dha mundësinë kurbinasve të dilnin me një pikë nga “Niko Dovana” përballë Kastriotit.

“E nisëm në mënyrën e duhur, arritëm të shënonim gol të parët dhe e dominuam kundërshtarin në pjesën e parë. Në të dytën mbase nga neglizhenca jonë, kundërshtari arriti të barazonte. Për mënyrën si rrodhi loja, mendoj se barazimi ishte rezultati i drejtë”, tha mesfushori fillimisht për “Panorama Sport”.

Me dy gola, krutanët bëhen “gjahu” i preferuar për të. “Më ka ecur në aspektin personal në të dyja ndeshjet që kemi zhvilluar jashtë me këtë kundërshtar, pasi kam shënuar edhe takimin e shkuar në “Redi Maloku”, por në të dyja rastet nuk kemi fituar.

Kemi lënë dy pikë sot (dje), por gara për Europën besoj do të jetë e hapur deri në fund të sezonit. Unë kam besim se do e arrijmë objektivin që të luajmë në Kupat e Europës”, tha Fangaj.