Maringlen ZHIVANI
Te Vllaznia janë mobilizuar në maksimum për ndeshjen me Egnatian, që luhet ditën e sotme në ora 14:00 në stadiumin e Rrogozhinës. Objektivi i vetëm i kuqebluve duket se do të jetë fitorja.
Ndërkohë, i ftuar në emisionin sportiv “Star Sport” në Star Plus TV, ka folur edhe tifozi i zjarrtë Gëzim Çoçja, që e mbështet Vllazninë prej më shumë se 50-viteve. Ai tregoi për situatën e mirë që po kalojnë kuqeblutë, ndërsa u shpreh besimplotë se Vllaznia do të dalë faqebardhë nga Rrogozhina.
“Ndeshjet e fundit të Vllaznisë na ngrohin ne si tifozë, duke parë edhe gjendjen e ekipit. Jemi në rrugë të mbarë. Ndeshjen me Egnatian duhet ta marrim si ndeshja e rradhës. Ne e kemi moralin shumë herë më lart sesa ata. I kemi mposhtur në Rrogozhinë edhe kur Vllaznia nuk ka qenë në ditët e saj më të mira.
Tani jemi kthyer në një ekip që duhet të na mposhtin ata ne, por nuk ma merr mendja që Egnatia e mund Vllazninë. Të them të drejtën, me këtë mobilizim dhe me këtë frymë që shoh, Vllaznia nuk del pa pikë nga Rrogozhina. Kam shumë besim te ekipi që do dalim faqebardhë”,-tha në “Star Sport” tifozi i zjarrtë i Vllaznisë, Gëzim Çoçja.