Vllaznia është duke menduar për ndeshjen e ditës së diele me Erzenin e Shijakut. Në fakt është një duel interesant, mes dy skuadrave që kanë pasur mjaft rivalitet këtë sezon, por duke qenë se Superiorja është e siguruar, trajneri Agim Canaj ka menduar që të aktivizojë edhe lojtarë të rinj.
Madje, problemet kanë dalë në portë kur janë të dëmtuar si: Alen Sherri ashtu edhe Erind Selimaj. Ndaj edhe me shijakasit do të luajë një 18-vjeçar që në Shkodër e konsiderojnë si me të ardhme, Kristi Qarri.
Trajneri Agim Canaj ka pohuar për “Vipsport” në prag të sfidës me shijakasit se: “Unë e kam thënë edhe më parë, se nuk zgjidhen kollaj problemet e një sezoni.
Do të sigurojmë edhe matematikisht Superioren, e pastaj në skuadër do të ketë vend për të gjithë. Vllaznia duhet që të jetë në elitë, e duan të gjithë, unë i pari si trajner por edhe e gjithë Shkodra dhe futbolli shqiptar”, – tha fillimisht trajneri kuqeblu.
Lidhur me ndeshjet e radhës, trajneri i mirënjohur ka theksuar se: “Unë e kam në natyrë që vlerësoj çdo ndeshje dhe çdo kundërshtar.
Erzeni meriton respekt e ka bërë garën të bukur, ashtu si Dinamo por edhe Besëlidhja, Korabi apo ndonjë ekip tjetër që s’më kujtohet për momentin. Do të respektojmë çdo kundërshtar deri në fund dhe do të zbatojmë edhe politikat e klubit duke i dhënë përparësi të rinjve”, – tha trajneri Agim Canaj./vipsport/