Të premten pasdite Besëlidhja mbylli javën stërvitore për llogari të ndeshjes që do të luajë sot ndaj Skënderbeut në orën 13:00 në stadiumin e Lezhës.
Skuadra e Alert Alcanit shpreson shumë se do ta fitojë këtë takim për të mbajtur gjallë shpresat për mbijetesë në Kategorinë e Parë. Vetë trajneri, në prononcimin e tij për “Panorama Sport”, foli me optimizëm në prag të duelit me korçarët.
“Pas mbylljes së përgatitjeve, e kemi mbajtur skuadrën të grumbulluar. Kampionati ka hyrë në një fazë interesante, ku të gjithë vrapojnë për të marrë diçka nga objektivat e vendosura. Kuptohet që katër ekipe do të zbresin nga kategoria, por ne do të luftojmë që minimalisht të shmangim rënien direkte. Mendoj se këtë e vendos ndeshja e sotme ndaj Skënderbeut, prandaj jemi përgatitur seriozisht për të fituar.
Unë nuk gjykoj me punën e të tjerëve, por i besoj vetës sime dhe kam punuar intesivisht për ta karikuar ekipin aq sa ka kapacitet. Jam i kënaqur, pasi nuk mungojnë kualitetet. Jo vetëm që shpresoj, por edhe besoj se sot do të fitojmë ndaj Skënderbeut.
Ekipi është i karikuar dhe i motivuar. Besoj se entuziazmi dhe motivimi që i ka karakterizuar futbollistët gjatë gjithë javës stërvitore, do të jetë i pranishëm në radhët e ekipit në ndeshjen me Skënderbeun”, ka thënë dje trajneri i lezhjanëve.