Trajneri i kombëtares bullgare, Mladen Krstaiç ka folur për mediat pas humbjes 2-0 në Shqipëri, në një ndeshje miqësore zhvilluar në “Air Albania” ku të pranishëm ishin rreth 17 mijë tifozë.

“Unë mendoj se ishte një ndeshje e mirë kontrolli dhe ne luajtëm mirë kundër një ekipi serioz që është i pari në grupin e tyre. Loja jonë në mbrojtje nuk i lejoi ata të krijonin shumë raste, por pranuam shumë gola të lehtë. Duhet të kishim treguar më shumë gjakftohtësi.

Ne nxituam pa asnjë arsye, por ky është një proces që kërkon kohë dhe keni nevojë për lojtarë me përvojë që luajnë rregullisht për klubet e tyre”, u shpreh në fillim trajneri serb i Bullgarisë.

“Në pjesën e dytë ne gjithashtu u përpoqëm të luanim futboll të mirë. Përsëri pësuam një gol të ngjashëm me atë të pjesës së parë, përsëri nga gabimi ynë. Na duhet kohë dhe durim për gjithçka që duam të ndodhë. Unë po bëj punën time dhe nuk dua të komentoj ndryshe”, përfundoi Mladen Krstaiç.