Egnatia shpreson të dalë me kokën lart sot nga sfida direkte me Vllazninë në transfertë.Rrogozhinasit gjejnë përballë një kundërshtar që po kalon një formë të mirë, por gjithsesi janë të përgatitur për t’ia dalë mbanë. Në fjalën e tij para mediave, tekniku Edlir Tetova u ndal edhe te grupi që kanë tanimë në dispozicion, duke vlerësuar merkaton e bërë. Nuk ka ndonjë plan të veçantë për të neutralizuar Balajn, ndërsa nuk preferon të japë një mendim për derbin, dy rivalët e rrogozhinasve këtë edicion.
Përballje mes kryesuesve kjo javë, si i shihni këtë ndeshje mes dy skuadrave?
Mendoj se është një mini “Final 4”, pasi ndeshen katër të parët. Tani mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë.
Pas afrimeve të fundit, a është Egnatia “top”?
Mendoj që jemi në një rrugë të mirë dhe kemi bërë një merkato të mirë. Çfarë kemi dashur i kemi marrë, por është pak shpejt për të folur për prurjet, pasi do t’i shohim në fushën e lojës. Por, janë njohës të mirë të kampionatit shqiptar.
Luani përballë një Vllaznie në formë, si e prisni?
Çdo skuadër gjatë maratonës shfaq disa fytyra. Nisja ka qenë jo e mirë për të gjitha ekipet, derisa lojtarët të gjejnë formën, sidomos ekipet që kanë luajtur edhe në Europë. Janë në një formë të mirë, një tregues ky edhe i ndeshjeve të fundit.
A është solide Egnatia me këtë grup për të luftuar më dy fronte, kupë dhe kampionat?
Mendoj që kemi një grup të plotë dhe për këtë arsye e kemi krijuar, që të luftojmë për të dy trofetë dhe më pas të shohim deri në fund sesi do të shkojë.
Cilët konsideroni rivalin më të fortë të Egnatias?
Unë jam i fokusuar më shumë te skuadra ime, por, mendoj se ajo katërshe që është momentalisht, me ato është lufta. Më pas, deri në fund ka pikë boll dhe mbetet për t’u parë në ndeshjet në vazhdim sesi do të shkojë.
Si vjen Egnatia para Vllaznisë dhe a janë gati dy prurjet më të fundit?
Grupi është i plotë, përveç Malotës që ndien ende dhimbje dhe nuk do të rrezikojmë. Do shohim në vijim për të pasur rikuperimin e plotë. Sa i përket Sotës dhe Guindos mendoj se është ende shpejt për të dy, ku duhet të harmonizohen edhe më shumë me grupin dhe të shohim në vazhdim.
Çfarë note do t’i vini merkatos dhe si do ia dilni për të vendosur për titullarët?
Nuk po flasim për nota, por për lojtarët që kemi në skuadër. Kemi një grup prej 25 lojtarësh që të jenë të gatshëm të gjithë për lojë. Jemi mirë, do të vazhdojmë punën dhe do të shohim më pas vazhdimësinë. Ndeshje pas ndeshje kam përdorur rotacionin në skuadër, ku mendoj se ka minuta për të gjithë.
A do merrni masa shtesë për të neutralizuar Balajn apo Malën që po kalojnë formë të mirë?
Me gjithë respektin për dy lojtarët që po bëjnë mirë këtë kampionat, ne luajmë ndaj Vllaznisë, një emër i madh i futbollit shqiptar. Mendoj të bëjmë më të mirën ndaj tyre.
A është Egnatia më e sigurt me Dajsinanin në portë?
E kam deklaruar gjithnjë që forca e Egnatias është grupi. Sigurisht që elementët cilësorë përmirësojnë forcën e grupit dhe Dajsinani është një nga ata. Shpresoj që edhe ai të shkrihet shumë shpejt me grupin për të pasur vazhdimësi më pas të gjithë bashkë.