Trajneri i Realit të Madridit në futboll për femra, Alberto Toril, u shfaq i kënaqur për fitoren e ekipit të tij në ndeshjen e parë të fazës së grupeve të Championsit në Shkodër ndaj Vllaznisë. Tekniku spanjoll, pas përballjes me shkodranet, në konferencën për shtyp, shpjegoi edhe synimet që ka Real Madrid në grupet e këtij kompeticioni.

Toril u shpreh se realisht, Vllaznia bëri një lojë shumë të mirë, ç’ka ua vështirësoi atyre ndeshjen, ndërsa theksoi se ekipi shkodran do të bëjë mirë në të ardhmen, teksa dha edhe përgëzimet e tij për vajzat kuqeblu.

“Vllaznia bëri një lojë shumë të mirë. Na e bëri të vështirë ndeshjen, sidomos në pjesën e parë, por pastaj në pjesën e dytë, arritëm të shënonim golin e parë dhe pastaj edhe të dytin. Vllaznia bëri një lojë të mirë. Ata kanë premisa të mira në qoftë se do të vazhdojnë kështu, i përgëzoj. Megjithatë, gjithashtu edhe ne bëmë një lojë shumë të mirë dhe jam i kënaqur me tre pikëshin.

Eshtë hera e dytë që ne marrim pjesë në një kompeticion të tillë. Do ta shijojmë pikë së pari, pastaj do ta shikojmë vazhdimësinë dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu, me këtë nivel si kjo ndeshje ndaj Vllaznisë. Në Shkodër ishte shumë mirë çdo gjë, si në hotel, tifozëria, por edhe ambienti në përgjithësi. Tifozëria e mbështeti shumë mirë skuadrën e vet.

Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme. Ne luajtëm ndaj Vllaznisë me të njëjtën forcë, siç do të luanim ndaj çdo skuadre tjetër. Do të vazhdojmë kështu dhe mendoj që kemi bërë një ndeshje të mirë, por do të përmirësohemi në vijim.

Penalltia? Përderisa, gjyqtarja e dha penallti, ajo e tillë ka qenë. Unë isha larg dhe nuk mund ta shikoja, por gjyqtarja e ka parë më mirë dhe përderisa, e ka dhënë penallti ashtu duhet të ketë qenë. Ne mendojmë ndeshje pas ndeshje. Fillimi ishte i mirë, por do të shohim si do të vazhdojmë”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Realit të Madridit në futboll për femra, Alberto Toril.
Maringlen ZHIVANI