Tërbuni u rikthye brenda sezonit në Kategorinë e Parë. Në fakt është bërë një punë e mirë, si nga trajneri Oltion Kërnaja, ndihmësi i tij Neziri, por edhe shefi i klubit, Dritan Frroku e kryebashkiaku Gjon Gjonaj. Tërbunin askush nuk e mori seriozisht, ndonëse ka nisur përgatitjet më herët edhe se klubet shqiptare që luanin në elitë.
Oltion Kërnaja, trajneri i skuadrës së Tërbunit është optimist dhe në prononcim për “Vipsport”, thekson se: “Askush nuk e mori seriozisht punën tonë edhe pse t’iu them të drejtën ne e nisëm punën më herët edhe disa ekipe të Superiores. Ishte shumë e vështirë. Nuk e imagjinoni dot, askush nuk kishte besim. Por, bashkë me ndihmësin tim Ergys Nezirin, ndryshuam “kurs”. Vendosëm të ndërtonim një ekip me të rinj dhe ja dolëm, ja ku jemi”.
Strategjia
Trajneri Kërnaja tregon edhe punën e bërë gjatë verës dhe planin për rikthimin: “Fillimisht bëmë seleksionime, madje stërvitje edhe me dy seanca, shumë të rinj në provë dhe takime të shumta miqësore. E gjitha për të harmonizuar grupin dhe për t’i dhënë gjithsecilit atë qe meritonte.
Më besoni, kam pak vite që jam larguar nga fusha dhe është shumë e vështirë që të lësh me kokën mënjanë një djalë të ri që ka ëndërr futbollin. Tërbuni ka lojtarë 20-vjeçarë nga Puka, Tirana, Ballshi, Pogradeci, Korça. I kam parë, ja vlejnë dhe i kam federuar”, – tha trajneri ndër të tjera.
Suksesi
“E tash edhe pak më sipër, unë kam besuar te ata djem dhe ata japin shpirtin në fushë. Pastaj mos harroni, të luash në Kategorinë e Dytë me djem të rinj është thuajse e pamundur të fitosh, e jo më të ngjitesh në të Parën. Ne bëmë realitet dhe meritë ka kryebashkiaku Gjon Gjonaj, mjaft korrekt, shefi i kubit Frroku që na ka qendruar afër mua dhe ndihmësin tim Neziri dhe djemtë që janë heronj. Janë mjaft të kulturuar, të durueshëm dhe punojnë shumë mirë në çdo seancë”.
Thirrja
“Unë kam vite që punoj me të rinjtë dhe ju them të drejtën në Kategorinë e Dytë ka shumë talente, por ama duhet që të afrohen, duhet që t’u jepet dora. Jam i bindur që këta lojtarë mund të luajnë edhe në Superiore në sezonin e ardhshëm. Po,po luajnë sepse kanë dëshirë të punojnë”, – tha në fund të prononcimit trajneri Kërnaja.