Faza e tretë do të nisë me një sfidë shumë të vështirë për Vllazninë, pikërisht me atë që do të luajë në Peshkopi ndaj Korabit vendas. Megjithatë trajneri Lika ndonëse vlerëson maksimalisht kundërshtarin, thotë se objektivi i skuadrës që drejton, do jetë fitorja edhe e këtij takimi.

“Ndeshja ndaj Korabit është e vështirë sepse kundërshtari me meritë është ne pesëshen e parë dhe në fushën e vet ka patur shumë rezultate pozitive. Por ne jemi të ndërgjegjshëm se do na duhet të vazhdojmë të luftojmë fort në çdo ndeshje për të marrë maksimumin sepse tashmë është edhe pjesa më e vështirë e kampionatit. Tashmë edhe koha nuk të ndihmon për të korigjuar ndonjë gabim që mund të bëhet”- deklaron ai.

Por ndërkohë, kuqeblutë do të kenë disa probleme mungesash në këtë takim dhe për trajnerin Lika ky është një shqetësim megjithëse ai beson se skuadra sërish do ia dalë.

“Nuk jemi nën presion, thjesht është ai presioni i ndeshjes që në fakt i bën mirë skuadrës. Ajo që na shqetëson më shumë është dëmtimi i disa lojtarëve titullarë. Megjithatë ne do të shkojmë për të marrë maksimumin edhe në këtë takim pavarësisht këtij fakti. Shpresoj të bëjmë një ndeshje të mirë dhe të marrim rezultatin e duhur”- ka deklaruar numri 1 i pankinës kuqeblu.
© shkodrasport.com