Barazimi 0-0 në javën e parë të kampionatit, pikërisht në përballjen me Sopotin e Librazhdit, nuk mund të krahasohet një rezultat pozitiv për ekipin e Adës. Kjo ngaqë sivjet ai ka pretendime serioze për t’u ngjitur një kategori më lart.
Por velipojakët kanë vetëm pak ditë që kanë nisur përgatitjet dhe për rrjedhojë nuk janë në formën e tyre më të mirë megjithatë nga java në javë performanca pritet të vijë duke u rritur.
DUke folur për mediat pas ndeshjes, trajneri Vahedin Pepaj ka vlerësuar paraqitjen e ekipit të tij duke u shprehur njëkohësisht se ishte i kënaqur me atë çfarë dha në fushën e lojës.
“Gjithë djemtë dhanë maksimumin në këtë ndeshje dhe si ndeshje e parë e kampionatit jam i kënaqur me performancën e tyre. Edhe barazimin do ta konsideroja rezultat pozitiv megjithatë për pretendimet që ne kemi, kuptohet që objektivi ishte fitorja, por nuk duhet
të harrojmë se përballë kishim një ekip të fortë siç është Sopoti.
Unë shpresoj dhe besoj se nga ndeshja në ndeshje, forma e ekipit do të vijë duke u rritur dhe njëkohësisht edhe rezultatet pozitive do të vazhdojnë sepse siç thashë, Ada sivjet pretendon ngjitjen në kategorinë e parë”- ka thënë trajneri i kësaj skuadre.
Ajo që duhet veçuar është se Vahedin Pepaj përveçse si trajner, vazhdon edhe të luajë ndonëse është 36 vjeç por me paraqitjen e tij në fushën e lojës ka treguar se ka ende për të dhënë.
© shkodrasport.com