Trajneri i Barcelonës, Hans-Dieter Flick, foli në konferencën për shtyp para ndeshjes me Las Palmas, duke komentuar edhe shortin e Champions League: “Mendoj se do të jetë një ndeshje e vështirë, Benfica luan shumë mirë. Është një skuadër e fortë dhe së fundi kemi parë që i njohin shumë mirë kundërshtarët e tyre. Nuk është e lehtë të përballesh me ta. Nuk mendoj aspak se janë një kundërshtar i lehtë”.

A do të bëni rotacion?
Do të punojmë fort dhe më pas do të vendosim. Duhet të mendojmë për këtë ndeshje dhe për ato që vijnë, por më e rëndësishmja tani është përballja me Las Palmas.

Në finale të Champions League mund të përballeni me Real Madridin…
Së pari duhet të arrijmë në finale. Ky është objektivi, por kemi ende shumë rrugë për të bërë. Fillimisht duhet të përballemi me Benfica, që është një skuadër shumë e mirë.

Barcelona ka një rivalitet të përjetshëm me Real Madridin…
Real Madridi është një ekip shumë i fortë, një nga më të mirët. Ka lojtarë të mëdhenj. Në çdo ndeshje duhet të tregojmë sa të fortë jemi. Jemi të pandalshëm, por kemi ende shumë punë për të bërë.

Një këshillë për Vitor Roque, i huazuar te Real Betis dhe në “shënjestër” të Palmeiras?
Nuk kam ndonjë këshillë për të. Kam shumë lojtarë këtu, ai vendosi të ndryshojë mjedis. Kjo është një zgjedhje e Decos.

Bellingham është pezulluar…
Nuk kam asgjë për të thënë. E kam thënë tashmë në konferencën e fundit se ai është një lojtar i madh, një nga më të mirët në rolin e tij. Nuk është lojtari im. Dua që lojtarët e mi të punojnë në fushë ashtu siç dua unë.

Çfarë mendoni për arbitrat?
Mendoj se gjithmonë kërkojmë justifikime dhe, nëse humbasim, fajin ia vëmë arbitrit. Të gjithë mund të gabojnë, përfshirë arbitrat. Duhet t’i mbrojmë ata, sepse pa ta nuk mund të luajmë. Duhet të luajmë më mirë për të fituar, kjo është më e rëndësishmja.