“Nuk dua të flas për këtë sepse nuk është puna ime”. Kjo ishte përgjigjja e drejtpërdrejtë e Hans-Dieter Flick, trajnerit të Barcelonës, kur u pyet në konferencën për shtyp lidhur me rastin e bujshëm të Dani Olmo.
Mesfushori spanjoll, i transferuar verën e kaluar nga Leipzig për 55 milionë euro, nuk është rikonfirmuar në skuadrën katalanase për shkak të një vendimi të La Liga-s.
Kërkesat e përsëritura për zgjatjen e licencës së dhënë në fillim të sezonit, e cila skadoi më 31 dhjetor, falë dëmtimit afatgjatë të Christensen, nuk kanë dhënë rezultat, pasi La Liga mbetet e palëkundur.
Ky është një problem i madh për Barcelonën, që rrezikon të humbasë falas futbollistin e jashtëzakonshëm dhe kampionin e Europës gjatë merkatos aktuale dimërore, pavarësisht deklaratave të fundit të menaxherit të Dani Olmo.
Trajneri Flick nënvizoi: “Puna ime është tjetër, ta përgatis skuadrën për ndeshjen e radhës në Kupën e Mbretit. Kjo është ajo që mund të them. Pas Krishtlindjeve kam qëndruar në kontakt me presidentin Laporta, kam folur me të edhe këtë mëngjes.
Kam besim te klubi dhe te gjithçka që lidhet me skuadrën. Çdokush bën punën e tij, puna ime është ta përgatis mirë skuadrën për ndeshjen e ardhshme.Sinqerisht nuk jam i lumtur për situatën, as lojtarët nuk janë, por është ajo që është. Ne jemi profesionistë, Duhet të presim vendimin”.
Hansi Flick për Barçën si klub: “Pikëpamja ime nuk ka ndryshuar. Jam i dashuruar me këtë klub dhe qytet. Mentaliteti në skuadër është shumë i mirë. Ekziston një atmosferë shumë e mirë, na pëlqen të punojmë këtu”.