Barcelona ka shkëlqyer mbrëmë në Ligën e Kampionëve, ku ka turpëruar me shifrat 4-1 Bajernin e Mynihut. Hansi Flick ka thënë në konferencën për shtyp pas ndeshjes se ky rezultat ndaj ish-skuadrës së tij e bën krenar. Trajneri gjerman ka theksuar për të disatën herë se e shkuara për të nuk ka aspak rëndësi dhe e tashmja është ajo i intereson më së shumti.

“Jemi krenar për rezultatin. Ekipi ka vullnetin për të mësuar. Ekipi e ka merituar këtë rezultat dhe festën pas ndeshjes. Jam shumë i lumtur. Mendoj që nuk duhet të mendojmë për të shkuarën.

Do të shkojmë në Madrid me këto dy fitore. Do të na ndihmojë shumë në aspektin e besimit. Kemi një ditë më pak, por është e sigurt që ekipi do të rekuperohet mirë.

Është një ‘el klasiko’ dhe besoj se do të jemi përgatitur mjaft mirë për ta luajtur atë. Këmbëngul, e shkuara nuk më intereson aspak. Jam te Barcelona dhe jam shumë i lumtur që jam këtu”, ka deklaruar Hansi Flick./Halit Delibashi-Sport Ekspres/