Përfundimisht, Barcelona e mundi Atlético Madridin këtë sezon. Ndeshja mes dy ekipeve më të mira spanjolle ishte përsëri emocionuese dhe me shumë mundësi. Djemtë e Hansi Flick arritën ta përmbysnin disavantazhin 2-0 përmes një shpirti të lartë gare dhe mos dorëzimit kurrë.
Përsëri doli në skenë Barça konkurruese, luftarake dhe me shumë alternativa. Lewandowski, Ferran dy herë, dhe Lamine, thesari i madh i këtij ekipi dhe MVP i mbrëmjes së djeshme, siguruan fitoren epike me përmbysje, që e afron Barçën, kryesuesen e La Liga-s, me realizimin e objektivave të saj.
“Mendoj se sonte e treguam mentalitetin tonë pas disavantazhit me dy gola. Ka qenë e pabesueshme se si ekipi ynë e përmbysi rezultatin. Jam shumë i lumtur për ekipin, klubin dhe tifozët”, – u shpreh Hansi Flick pas ndeshjes.
Trajneri i Barcelonës u pyet për trilogjinë spektakolare të ndeshjeve që këtë sezon janë duke luajtur Barça dhe Atlético Madridi. Deri tani ka një fitore për secilin ekip dhe një barazim.
Ndeshje shumë të barabarta, mundësi dhe kthesa të papritura që i kujtojnë ato përballje të viteve ’90: “Kur rezultati shkon si sot, jam shumë i lumtur. Jam i përqendruar vetëm në ditën e sotme”.
Një nga emrat e ndeshjes ishte Ferran Torres, autori i dy golave pas ardhjes nga stoli në pjesën e dytë: “Kjo Barcelonë është fantastike. Kemi formacionin startues, por lojtarët që erdhën nga pankina bëjnë shumë mirë. Më e rëndësishmja është se të gjithë lojtarët stërviten shumë mirë dhe shkëlqejnë kur na nevojitet ndihma e tyre”.
Triumfin ndaj skuadrës së Siemone, edhe pse e pa veten në disavantazhin 2-0, trajneri gjerman e perifrazoi kështu: “Ndeshje e pabesueshme, një çmenduri, me 20 minutat e fundit fantastike. Në pjesën e parë, gjithashtu luajtëm mirë. Në pjesën e dytë, pas dy golave të pësuar, treguam mentalitetin se nuk dorëzohemi kurrë. Pas golit të parë tonit u hap një dritë shprese.
Lidhur me shanset e fitimit të titullit, Flick nënvizoi: “Do të bëjmë maksimumin dhe do të luftojmë deri në fund për ta fituar kampionatin. Rruga është ende e gjatë. Këto janë tri pikë shumë të rëndësishme, që na bëjnë të lumtur. Jemi në krye të tabelës, me një ndeshje të prapambetur për ta luajtur ende, por më e rëndësishmja është ndjenja pozitive që kemi.
Të luash kundër Atlético Madridit, të jesh dy gola në disavantazh dhe të përmbysësh gjithçka në 20 minuta, është diçka shumë e rëndësishme. Kjo tregon se ekipi beson në atë që bën. Jemi në një moment shumë të mirë. Lojtarët japin gjithçka në çdo seancë dhe kjo reflektohet në fushë. Ata kanë shumë besim. Nuk ka asnjë kritikë për këtë ekip. Ata e bëjnë gjithçka me pasion”.