Barcelona 2024-2025 vazhdon të thyejë çdo rekord. Me fitoren dërrmuese ndaj Borussia Dortmundit (4-0) në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve, skuadra e Hansi Flick ka arritur 23 ndeshje radhazi pa humbje, duke firmosur fillimin më të mirë të vitit në historinë e klubit katalanas. Barcelona nuk është mposhtur në vitin 2025 në asnjë nga kompeticionet, duke kaluar kështu rekordin historik të Barcelonës së Luis Enriques 2016 (22 ndeshje, 19 fitore, 3 barazime).
Skuadra “culé” po ruan një ecuri mbresëlënëse rezultatesh dhe është e pamposhtur që nga 21 dhjetori 2024 (1-2 kundër Atlético Madridit), me një bilanc prej 19 fitoreve dhe 4 barazimesh, gjatë të cilave ka shënuar 71 gola (3.08 për ndeshje), duke pësuar vetëm 21 (0.91 për ndeshje). Sipas kompeticioneve, në vitin 2025, Barça ka një seri prej 11 ndeshjesh pa humbje në kampionat (La Liga), 5 në Ligën e Kampionëve, 5 në Kupën e Mbretit dhe 2 në Superkupën e Spanjës. Ecuri vërtet spektakolare.
Seria pa humbje e Barcelonës nisi më 3 janar 2025, me fitoren në Kupë kundër Barbastro (0-4). Që atëherë, vetëm Getafe (1-1 në kampionat), Atalanta (2-2 në Ligën e Kampionëve), Atlético Madridi (4-4 në Kupë) dhe Betis (1-1 në kampionat) kanë shmangur humbjen ndaj katalanasve. Bilanci në fitore të thella është mbresëlënës, me 12 të tilla nga 19 fitoret në total. Njëra prej tyre, e përkthyer në trofe ishte fitorja 5-2 ndaj Real Madridit në finalen e Superkupës së Spanjës.

Në këtë mënyrë, skuadra e drejtuar nga Hansi Flick ka arritur të tejkalojë serinë pa humbje që kishte arritur Barça e Luis Enriques në fillim të vitit 2016. Barcelona atëherë regjistroi një seri prej 22 ndeshjesh pa humbje në kompeticione zyrtare (kampionat, Kupa e Mbretit dhe Liga e Kampionëve), nga 2 janari 2016 me barazimin 0-0 kundër Espanyol, deri më 2 prill, kur humbi 2-1 ndaj Real Madridit në La Liga.
Gjatë kësaj periudhe, skuadra e Luis Enrique arriti 19 fitore (12 në kampionat, 5 në Kupën e Mbretit, 2 në Ligën e Kampionëve) dhe 3 barazime (2 në kampionat, 1 në Kupën e Mbretit). Në atë kohë, 1/8-tat dhe çerekfinalet e Kupës së Mbretit luheshin me ndeshje vajtje-ardhje. Në kampionat, në fakt, Barcelona regjistroi 12 fitore radhazi deri në humbjen në “El Clásico”, ndërsa në Ligën e Kampionëve eliminoi Arsenalin në 1/8 finale me rezultatin e përgjithshëm 5-1.
Humbja kundër Real Madridit, nga ana tjetër, nisi një seri prej tri humbjesh radhazi në kampionat, por Barça ia doli të fitonte titullin me 1 pikë më shumë se “merenguesit”. Në Ligën e Kampionëve, skuadra blaugrana u eliminua në çerekfinale nga Atlético Madridi (3-2 me rezultat të përgjithshëm), ndërsa Kupa e Mbretit iu shtua trofeve blaugrana, pas fitores 2-0 kundër Sevilla në kohë shtesë, në “Vicente Calderón”.