Flitet shumë pak për të, por është shndërruar në një nga shtyllat e skuadrës së Vllaznisë. Po flasim për Fallou Diagne.
Mbrojtësi me një CV super të pasur në karrierën e tij, u afrua në merkaton e verës tek Vllaznia. Shumëkush u habit nga ky afrim duke parë edhe të shkuarën e mbrojtësit.
Një dëmtim e solli në kampionatin tonë senegalezin, e më konkretisht tek Vllaznia. Rikthimi pas dëmtimi ishte i ngadaltë për 32-vjeçarin dhe të gjithë e cilësuan si të dështuar dhe se karriera e tij tashmë kishte perënduar. Por eksperienca dhe cilësitë e ish-mbrojtësi të Werder Bremen apo Rennes dolën në pah.
Në javët që pasun Diagne u rrit së bashku me skuadrën në tërësi. Tashmë ai mund të cilësohet pa frikë si një lider i prapavijës kuqeblu. Jo vetëm ndërhyrjet e sakta, por edhe vizioni për lojën dhe vendosja në fushë tregojnë qartazi për cilësitë e lojtarit afrikan.
Patjetër që Diagne është një “luks” për kampionatin shqiptar duke parë karrierën ku ka luajtur në Ligue 1 të Francës, Bundesliga të Gjermanisë apo edhe në Superligën e Turqisë. Tashmë mbetet që mbrojtësi të rrisë akoma më tepër nivelin e tij dhe të jetë një pikë e foryë e skuadrës kuqeblu.
Endri ÇINARI