Peshëngritësi shkodran Flogert Mali është shpallur kampion i Shqipërisë në peshën 69 kg në kampionatin e fundit kombëtar të grupmoshës 17 vjeç. Ky kampionat është zhvilluar dje në Vlorë dhe kanë marrë pjesë në të 15 ekipe të vendit me sportistët e tyre më të mirë. Vllaznia është përfaqësuar në këtë kampionat me dy sportistë, Flogert Malin dhe Emanuel Lushin. Paraqitjen më të mirë e ka bëri i pari që në peshën e tij ka arritur t’i sfidojë të gjithë duke zënë vendin e parë me 215 kg.

Ky është një sportist me shumë të ardhme dhe për rrjedhojë suksesi në këtë kampionat nuk është rastësi. Përveç rezultatit të Malit në garat individuale, Vllaznia në renditjen ekipore ka zënë vendin e tretë. Ajo ka grumbulluar 357 pikë duke u renditur pas Elbasanit që u shpall kampion me 586 pikë dhe Ismail Bej Vlorës së vendit të dytë me 427 pikë. Elementi i ri tek Vllaznia në fakt nuk mungon megjithatë me to duhet punuar me shumë kujdes dhe për më tepër, duhen përmirësuar kushtet e stërvitjes për ta në mënyrë që t’i rrisin edhe më tepër rezultatet e tyre.
www.shkodrasport.com