Florenc Ferruku është padyshim një ndër sulmuesit më të spikatur në Kategorinë e Parë, ku në këtë edicion me fanellën e Burrelit arriti të realizonte 15 gola në 32 ndeshje të aktivizuara. Vetëm 23-vjeç, ai zbuloi se në merkaton e janarit, ishte shumë pranë transferimit te Tirana, por në momentet e fundit nuk ranë dakord.
I ftuar në studion e emisionin “Max Sport”, Ferruku shprehet optimist për sa i përket ngjitjes në Superiore nga “Play Off”, teksa ekipi i Burrelit u rendit në vendin e katërt, Ai beson se në fund ekipi i tij do të përballet me Tiranën dhe do të mund të triumfojë, për t’u ngjitur ata në Superiore dhe bardheblutë të mund të zbresin një kategori më poshtë.
“E kam ndjekur shumë Tiranën nga fillimi deri në fund. E kam parë që kanë pasur luhatje shumë nga kampionati. Shënojnë shpejt, por edhe pësojnë shpejt, në goditjen e parë nga këndi, ose në goditjen e parë në kuadrat. Mbas minutës së 60-të bien fizikisht. Bëj 13 km në fushë, por edhe mund t’i kaloj 13.
E kam menduar që në fillim finalen e fundit, Tirana-Burreli për një vend Superiore. Tani e kemi me Pogradecin, e fitojmë dhe nuk e falim, i kemi marrë pikë të plota dhe në kampionat. Më pas mund të ndeshemi me Besën, por unë besoj se ne dhe Tirana do të luajmë ndeshjen e fundit së bashku. Mua më ka kërkuar Tirana në janar, isha shumë afër, por nuk ramë dakord”, deklaroi Ferruku.