Kandidati i parë që doli në skenë ishte presidenti aktual i futbollit të Flamurtarit, Sinan Idrizi ndërsa dje është “zbuluar” dhe emri i kandidatit tjetër për postin e presidentit të Federatës Shqiptare të Boksit. Ai është biznesmeni i njohur gjirokastrit Florent Kalidhopulli. 46 vjeçari njihet si pasionant i këtij sporti, madje vite më parë pat financuar edhe ekipin e Vllaznisë dhe tashmë mund të jetë president i gjithë boksit, nëse do të marrë votat e duhura në Asamble. Siç është bërë e ditur, ka kohë që komuniteti i boksit shqiptar ka filluar lëvizjet. Të pakënaqur nga puna e Federatës, trajnerë të ekipeve të ndryshme janë vënë në kërkim të një presidenti të ri që do të financonte më shumë këtë sport, do t’u krijonte kushte më të mira sportistëve e trajnerëve. I pari që doli në skenë ishte Sinan Idrizi. Ishte trajneri i Flamurtarit në boks Gëzim Zeneli, që e bëri publike kandidaturën e tij. Por ajo çfarë ofronte ky biznesmen ishte thjesht një kontribut financiar çdo vit për ta ndihmuar këtë sport.
Florent Kalidhopulli
Ditët e fundit duket se një pjesë e trajnerëve të ekipeve të ndryshme kanë arritur t’i mbushin mendjen një tjetër biznesmeni për të qenë në postin e presidentit. Ai është Florent Kalidhopulli që përveçse do financonte, do t’i qëndronte mbi kokë çdo gjëje sepse është pasionant i boksit. Lajmin për kandidaturën e tij për postin e presidentit të Federatës e ka bërë të ditur trajneri i Vllaznisë Zef Gjoni, i cili është njëkohësisht edhe një nga inisiatorët e ndryshimeve në këtë institucion në mënyrë që puna e tij të shkojë më përpara. “Mund t’u konfirmoj se z. Florent Kalidhopulli është gati për të marrë postin e presidentit të Federatës Shqiptare të Boksit nëse e votojmë në Asamblenë që do të zhvillohet. Fakti që ai ka thënë “po” tregon se i gjithë komuniteti i boksit duhet të jetë i lumtur ngaqë e njohim këtë person. Ai përveçse biznesmen, është një dashamirës shumë i madh i këtij sporti dhe besoj se do ta ndihmojë shumë për të rritur cilësinë e këtij sporti”- është shprehur Gjoni.
Mbledhja e firmave
Nga sa merret vesh, ka filluar tashmë mbledhja e firmave të nevojshme që do të duhen për thirrjen e Asamblesë së Jashtëzakonshme të kësaj Federate. Inisiatorët janë duke u kujdesur që të mbledhin aq firma sa e parashikon statuti i Federatës dhe pasi të ketë ndodhur kjo, do njoftojnë thirrjen e Asamblesë. Në të, natyrisht që do kërkohet shkarkimi i presidentit aktual Gjergj Leqejza dhe zëvendësimi i tij me një tjetër. Në fakt, presidenti aktual e ka pranuar se nuk do të japë dorëheqjen dhe nuk përjashtohet mundësia që të kandidojë sërish. Pse jo, të pengojë edhe zhvillimin e kësaj Asambleje por kjo duket e vështirë. Tashmë komuniteti i boksit duket i vendosur për të bërë një zgjedhje tjetër. Nuk merret vesh mirë nëse kandidaturat do jenë një apo dy sepse nuk përjashtohet mundësia që përveç Florent Kalidhopullit, të jetë në lojë edhe Sinan Idrizi. E rëndësishme është që boksi shqiptar të gjejë qetësinë e duhur dhe mbi të gjitha… paratë.
Gjergj KOLA