Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, i ka premtuar lojtarëve të tij një bonus të madh në rast se ata mposhtin Barcelonën në finalen e Superkupës të dielën.

Real Madridi do të luajë në finalen e Superkupës së Spanjës ndaj Barcelonës mbrëmjen e së dielës dhe presidenti i tyre ka premtuar se do të mbushë xhepat e lojtarëve në rast fitoreje.

Sipas asaj që raporton mediumi spanjoll Sport, Perez ka premtuar të shpenzojë rreth katër milionë euro, gjysmën e asaj që ekipi do të përfitojë nga Federata Spanjolle e Futbollit për pjesëmarrje në Superkupë.

Këto dy ekipe u përballën edhe në finalen e vitit të kaluar, aty ku blaugranasit arritën që të dalin fitimtar pasi mposhtën Real Madridin me rezultat 3-1.

Të besuarit e Ancelottit kanë qenë më të mirë së fundmi në përballjet direkte, duke fituar dy ndeshjet e tyre të fundit në garat zyrtare dhe tani do të shpresojnë se do ta arrijnë të tretën. Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, ka thënë se ekipi i tij ka mundësi reale që të mbrojë titullin e Superkupës.

“Unë mendoj se në klasiken që luajtëm në ligë, ne e dominuam pjesën më të madhe të ndeshjes. Unë mund ta krahasoj atë me finalen e sezonit të kaluar. Unë mendoj se ne mund t’i dominojmë ata dhe të fitojmë”, ishin fjalët e teknikut spanjoll./Telegrafi/