Talenti i tij i jashtëzakonshëm dhe perfomancat në fushë e kanë kthyer Florian Wirtz në një nga lojtarët më të kërkuar. Fichajes raporton se janë të paktën 6 klube të mëdha që do të tentojnë të transferojnë yllin gjerman në verë. Bëhet fjalë për Barcelonën, Real Madridin, Bayern Munich, Manchester City, Manchester United dhe PSG.
Edhe pse kontrata e tij me Bayer Leverkusen skadon në vitin 2027, klubi i “aspirinave” është i vetëdijshëm që do e ketë të pamundur ta mbajë për sezonin e ri duke ditur interesin e klubeve të përmendura më sipër.
Shifra që duhet të paguajë një klub për të transferuar Wirtz është 140 milionë euro, një shifër shumë e majme por që pasqyron ndikimin e tij në fushë. Edhe pse vetëm 21-vjeç, Wirtz ka dëshmuar se është një lojtar kryesor, i aftë për të udhëhequr ekipin e tij në ndeshje të rëndësishme.
Shifrat e tij këtë sezon flasin vetë: ai është përfshirë drejtpërdrejt në mbi 25 gola, duke kombinuar gola dhe asiste, duke e pozicionuar atë si një nga lojtarët më të kompletuar sulmues në futbollin e sotëm, gjë që e tregon edhe interesi i gjigantëve të Europës për të./telesport/