Nga Endri ÇINARI
U duk se Vllaznia do e kishte shumë të vështirë për të gjetur golin në duelin e fundit ndaj Egnatias duke qenë se Balaj u largua nga fusha që në minutat e para të ndeshjes. Por në mungesë të kapitenit dhe golashënuesit më të mirë të kampionatit, në katedër për kuqeblutë u ngjitën futbollistët e krahut. Kuqeblutë u bënë me “krahë” nga dyshja Mala-Gruda që me lojën dhe golat e tyre treguan se shkodranët nuk varen vetëm nga Bekim Balaj.
Të dy futbollistët treguan një ritëm të mirë loje, duke ndihmuar në marrjen e një pike pas shifrave 2-2. Fillimisht do ishte Mala që me një gjuajtje fluturimthi barazonte shifrat në 1-1. Prizrenasi u kthye të shënojë në kampionat pas 7 ndeshjesh dhe ky ishte goli i 7-të sezonal për 26-vjeçarin. Një rekord personal për ish-mesfushorin e Partizanit që deri më tani numëron edhe 11 asiste në kampionat, shkruan shkodrasport.com
Në krahun tjetër edhe Ildi Gruda ishte imponues me ritmin që i dha lojës së kuqebluve e po ashtu vendimtar në goditjen e penalltisë në limitet e ndeshjes. Ku shkodrani u tregua gjakftohtë duke mposhtur Dajsinanin. Ky ishte goli i katërt sezonal për numrin 7-të që ka vuajtur dëmtimet dhe ndalesat e shumta në infermieri gjatë këtij edicioni. Por tashmë në fund të kampionatit, ritmi duket i duhuri për ish-sulmuesin e Teutës.
Patjetër kjo formë e dyshes Mala-Gruda kënaq shumë në kampin kuqeblu. Që tregon se skuadra ka edhe opsione të tjera për të gjetur golin edhe në rastet kur mungon Balaj. Me sezonin që tashmë po vjen në pikën finale të tijën dhe ku kërkohet kontributi dhe forma sa më e mirë e të gjithë futbollistëve.(www.shkodrasport.com)