Nga Endri ÇINARI
Vllaznia po kalon një formë të shkëlqyer me nisjen e fazës së dytë të Superiores. Shkodranët pas 3 javëve të para të kësaj faze kanë grumbulluar 7 pikë nga 9 të mundshme. Kjo falë barazimit 2-2 ndaj Partizanit dhe fitoreve 3-4 ndaj Tiranës dhe 2-0 kundër Skënderbeut. Në këtë mënyrë kuqeblutë momentalisht janë në krye të tabelës së klasifikimit me 21 pikë pas 12 javësh.
Në fakt shkodranët janë në kuotë të barabartë pikësh me Partizanin. Por falë avantazhit të ndeshjeve direkte me të kuqtë, ata qëndrojnë në krye të tabelës. Forma është e shkëlqyer tek 9 herë kampionët e vendit, por edhe kalendari në fazën e dytë duket se e favorizon shumë skuadrën që drejtohet nga Brdariç. Kjo pasi Vllaznia do luajë 4 nga 6 sfidat e ngeluar të kësaj faze në shtëpi.
Këtë të shtunë kuqeblutë udhëtojnë drejt Rrogozhinës për tu përballur me Egnatian. Në kthimin e kampionatit pas pushimit të kombëtareve, Vllaznia do presë Teutën në “Loro Boriçi”. Në kuadër të javës së 15-të, shkodranët do vizitojnë Bylisin në Ballsh dhe 3 sfidat e fundit të fazës do i luajnë të gjitha në shtëpi.
Për të nisur me Dinamon në javën e 16-të, Elbasanin në javën e 17-të dhe Laçin në javën e 18-të. Një kalendar patjetër për tu shfrytëzuar për Vllazninë duke qenë se shumicën e ndeshjeve të ngelura gjatë kësaj periudhe do i luajë në shtëpi. Dhe përveç formës së mirë që po kalojnë kuqeblutë, duket se edhe kalendari është një “aleat” për të vijuar në këtë ecuri./www.shkodrasport.com/