Nga Endri ÇINARI

Edhe njëherë për Vllazninë si zakonisht këtë sezon me golat e tyre ishin vendimtarë Balaj dhe Gruda. Dy sulmuesit shkodranë ishin autorët e golave në fitoren 2-1 kundër Egnatias, në javën e 24-tët të Superiores. Ku fillimisht ishte Balaj që zhbllokoi shifrat që pas 90 sekondash lojë.

E më pas Gruda që me një goditje fluturimthi, “vulosi” fitoren 2-1 të kuqebluve. Këto gola jo vetëm që treguan për formën fantastike që po kalon Vllaznia, por edhe formën e shkëlqyer të dyshes sulmuese. Balaj me rrjetën kundër rrogozhinasve ngjitet në kuotën e 13 golave në kampionat. Duke qenë kështu golashënuesi më i mirë i Superiores pas 24 javëve të kampionatit.

E pas tij pikërisht në kampionat vjen Ildi Gruda, me 8 gola të shënuar, duke theksuar se asnjë nuk ka ardhur nga penalltia. Realisht 24-vjeçari është i katërti përsa i përket shënuesve të këtij sezoni. Kjo pas Hasanit me 10 gola, tashmë pjesë e Rapid Bukuresht e po ashtu të ndjerit Dwamena me 9 gola.

Duket se “Këpuca e Artë” këtë sezon do jetë një çështje shkodranësh. Me Balajn dhe Gruden që patjetër primarë kanë objektivat e klubit. Por edhe një “garë” mes tyre se kush do shënojë më tepër është vetëm në favor të Vllaznisë. Ku shkodranët po marrin frytet e dyshes nga java në javë në Superiore duke ngjitur shkallët në renditjen e kampionatit./SHKODRA-SPORT.COM/