Nga Endri ÇINARI

Vllaznia e mbylli me humbje javën e tretë të Superiores. Shkodranët u mposhtën në shifrat 1-0 në transfertë kundër Skënderbeut, kjo falë një goli të Bismark në minutat e fundit të ndeshjes. Në këtë mënyrë shkodranët provuan shijen e humbjes për herë të parë në këtë edicion. Por ajo që shqetëson tek kuqeblutë, nuk është humbja por loja e zhvilluar.

Shkodranët kanë pasur mangësi të mëdha përsa i përket cilësisë dhe lojës së zhvilluar. Kjo jo vetëm ndaj Skënderbeut, por edhe në dy ndeshjet kundër Partizanit dhe Tiranës, ku skuadra grumbulloi 4 pikë. Loja e zhvilluar nga ekipi në këto javë ka marrë kritika të shumta nga specialistët e futbollit shkodranë dhe jo vetëm.

Të cilët nga skuadra kërkojnë një marsh dhe ritëm tjetër. E duket se në një situatë të tillë, pushimi i kampionatit vjen në momentin e duhur për ekipin e Brdaric. Superliga do qëndrojë pushim për 13 ditë, kjo për shkak të angazhimit të kombëtares shqiptare. Kjo periudhë mund ti shërbejë shumë skuadrës edhe në rikuperimin e futbollistëve të dëmtuar.

Ku në ditët e ardhshme pritet rikthimi i Bajramit apo edhe Kahrimanoviç. Po ashtu kjo kohë mund të shërbejë edhe për Brdariç i cili duhet të fusë skuadrën në “shina”. Ku nga kuqeblutë pritet shumë në këtë edicion dhe siç theksoi presidenti Xhaferi, klubi gjithmonë hy me objektivin për titull kampion. Dhe një gjë të tillë duhet ta reflektojë edhe skuadra në fushën e lojës./www.shkodrasport.com/