Vllaznia do e mbyllë kampionatin para pushimeve të Botërorit me duelin kundër Tiranës. Takimi që ishte parashikuar të luhej në “Loro Boriçi” ka pasur një ndryshim sepse do luhet në “Selman Stërmasi”. Kjo për shkak të punimeve që po bëhen në impiantin e shkodranëve dhe dy klubet me mirë kuptim mes tyre kanë vendosur që ndeshja të zhvillohet në kryeqytet.

Të dy ekipet në këtë klasike vijnë me humorin e duhur ku Vllaznia pas fitores me Kukësin 0-1 dhe Tirana me atë kundër Egnatias 1-, janë në humorin e duhur. Madje mund të thuhet se forma e dy skuadrave është thuajse identike në 4 ndeshjet e fundit në Superiore. Kështu Vllaznia ka marrë 8 pikë në 4 duelet e fundit.

Kjo pas fitoreve kundër Kukësit 0-1 dhe kundër Bylis në shifrat 2-1. Po ashtu shkodranët kanë barazuar 1-1 kundër Laçit dhe 2-2 përballë Erzenit. Diçka më mirë ka bërë Tirana, ku bardheblutë kanë marrë 9 pikë nga 12 të mundshme. Kjo pas fitoreve kundër Egnatias 1-0, Kukësit me rezultatin 4-1 dhe Bylis me rezultatin 0-1.

Por ekipi i drejtuar nga Shehi ka humbur një takim në këtë periudhë. Atë kundër Erzenit me shifrat 0-1. Pra një formë thuajse e njëjtë mes dy skuadrave që kanë pretendime të mëdha këtë edicion e po ashtu që garantojnë për një duel për të mos u humbur ditën e shtunë në orën 13:00.
Endri ÇINARI