
Shqipëria pasi ka dalë nga objektivat e grupit, luan një sfidë luksi përballë kampionëve të botës, Francës. Ndërsa inaugurohet edhe stadiumi Kombëtar, “Air Albania Stadium”. Nga ana tjetër edhe francezët vinë të kualifikuar përballë kuqezinjve, megjithatë ende nuk kanë siguruar vendin e parë në grup.
Sa i përket formacionit, tekniku Edi Reja ka preferuar të bëjë disa ndryshime teksa ka ulur në stol Memushajn dhe në vend të tij aktivizohet Kristi Qose. Sakaq, mes shtyllave mbetet titullar, Etrit Berisha. Një fanellë titullari edhe për Veselin, teksa në pankinë është ulur Ismajli.
Ndërkohë, rikthehet pas pezullimit Klaus Gjasula, ndërsa sulmi i besohet dyshes Balaj dhe Manaj. Nga kampi kundërshtar, trajneri Didier Deshamp ka vendosur të kursejë yllin më të madh të ekipit, Kilian Mbape. Sulmuesi i Parisit është ulur në stol dhe ndoshta mund të aktivizohet në varësi të rezultatit. Ndërsa, nga minuta e parë starton futbollisti i Barcelonës, Antuan Grizman.
Formacionet zyrtare:
Shqipëria: Berisha, Gjimshiti, Veseli, Dermaku, Hysaj, Lenjani, Gjasula, Qose, Bare, Manaj, Balaj
Trajner: Edi Reja
Franca: Mandanda, Varan, Lengle, Kimpembe, Toliso, Sisoko, Mendi, Buboua, Grizman, Ben Jeder, Zhirud
Trajner: Didier Deshamp