Vllaznia është “e dënuar” për të marrë pikë sot në Vlorë ndaj Flamurtarit sepse pozitat e saj në renditje nuk janë të mira.
Por nga ana tjetër, duke qenë se të mërkurën do të luajë ndeshjen shumë delikate ndaj Kamzës, stafi teknik ka vendosur të lërë pushim ndonjë nga titullarët.
Kryesisht ata që rrezikojnë më shumë për arsye kartonash. Për këtë arsye, trajneri Gjoka sot me shumë mundësi do të lërë në stol mbrojtësin Berisha dhe mesfushorin Krymi.
Në vend të të parit do të luajë Pjeshka ndërsa në vend të dytit Orelesi, i cili pikërisht për këtë arsye mungoi në ndeshjen e kaluar.
Formacioni që do të zbresë në fushë në orën 19.00 me siguri që do të nisë nga portieri Sherri e për të vazhduar me katërshen e mbrojtjes të përbërë nga Gocaj, Malota, Pjeshka e Mersini.
Ndërkohë në mesfushë, Orelesi do të jetë i vendosur para mbrojtjes ndërsa para tij do të luajë katërshja e mesfushës e përbërë nga Tafili, Vucaj, Lika e Çinari.
Në majë të sulmit ndërkohë pas mungesës së konfirmuar të Sukajt, do të luajë Ribaj.
Me këtë formacion, Vllaznia do të tentojë të marrë pikë ndaj Flamurtarit.
© shkodrasport.com