Pasditen e sotme, saktësisht më 15.30, kuqeblutë do të zbresin në fushën sportive “Reshit Rusi” për t’u ndeshur me Kastriotin për ndeshjen e kthimit të turit të parë të Kupës së Shqipërisë. Takimi i parë i luajtur në Krujë siç dihet, ka përfunduar në barazim 0-0. Sa i takon ndeshjes së sotme, duhet thënë se trajneri Cungu ka disa dilema për formacionin që do të hedhë në fushë.

Kjo ngaqë ka pak alternativa në dispozicion. Nga 25 futbollistët që janë të federuar, disa prej tyre nuk do t’i ketë në dispozicion. 3 janë në Moldavi me ekipin U-19 (Miloti, Pusi, Brahimi) ndërsa Isufi është i grumbulluar me kombëtaren e kësaj moshe. Përveç tyre, Marku, Bardulla dhe Atsina kanë shfaqur probleme shëndetësorë dhe është e pamundur të luajnë nga sa duket. Në këto kushte, mbesin si kontigjent vetëm 18 futbollistë dhe kuptohet që ideja e trajnerit ka qenë për alternim të lojtarëve të stolit me disa prej titullarëve në mënyrë që një pjesë tjetër t’i lërë pushim për ndeshjen e së shtunës me Laçin. Megjithatë kjo situatë e krijuar e ka vënë trajnerin paksa në vështirësi dhe për këtë arsye, duhet të presim pasditen për të parë se cilët futbollistë do të hedhë në fushë nga minuta e parë.
© shkodrasport.com