Ndeshja e sotme ndaj Lushnjes konsiderohet shumë e rëndësishme për Vllazninë. Ajo ka nëntë ndeshje që nuk fiton dhe hera e fundit që ka provuar kënaqësinë e tre pikëve ka qenë pikërisht ndaj kundërshtarit të sotëm. Kuqeblutë janë të përgatitur për të marrë fitoren por në fakt, skuadra ka disa probleme mungesash në këtë ndeshje. Kështu mbrojtësi Pjeshka dhe mesfushori Krymi nuk kanë arritur të rikuperohen nga dëmtimet që kanë patur dhe janë lënë pushim nga ana e stafit teknik. Por probleme ka patur edhe mesfushori Hasani që ka qenë edhe ai në dyshim por duket se do të sakrifikojë dhe do të jetë në fushë. Sa i takon të tjerëve, në portë do të luajë përsëri Selimaj. Në mbrojtje nga e djathta do të luajë Gocaj dhe nga e majta Marku ndërsa në qendër pritet të jetë dyshja e përbërë nga Orelesi dhe Gurishta këtë herë. Në mesfushë ndërkohë do jenë Tafili, Hasani nëse do luajë (nëse jo në vend të tij do jetë Bardulla) ndërsa në krahë do luajnë Lika dhe Çinari. Sakaq në rolin e sulmuesit të dytë do të jetë Vucaj dhe në majë të repartit ofensiv Atsina. Me këtë formacion, Vllaznia do të kërkojë patjetër të shënojë dhe të marrë fitoren e dytë në këtë kampionat.
© shkodrasport.com
FAQJA E PARE FUTBOLL KATEGORIA SUPERIORE Formacioni anti-Lushnja, ja kë mund të hedhë në fushë trajneri Gjoka