Ndeshja e parë e Vllaznisë për kampionatin e ri po afron. Takimi i së dielës në Lushnje natyrisht që është në prag dhe në kampin shkodran janë duke u bërë gati për të. Dilema është se cili do të jetë formacioni që do të hedhë në fushë trajneri Cungu? Problemi i parë është nëse ai do t’i ketë apo jo të gjithë futbollistët në dispozicion. Kjo ngaqë ditët e fundit disa prej tyre kanë patur probleme me dëmtimet.
Duke marrë të mirëqenë gatishmërinë e të gjithë lojtarëve, formacioni pritet të nisë nga Selimaj që nuk ka konkurrencë për momentin me Sherrin për portën. Edhe Gocaj është në avantazh ndaj të tjerëve për krahun e djathtë të mbrojtjes ndërsa në qendër mendohet të luajë dyshja Orelesi- Pjeshka. Sakaq dilema e parë vjen në krahun e majtë të mbrojtjes. Kush do të luajë: Gurishta apo Marku? Në miqësoret e fundit në fushë ka qenë i pari por mund të vendoset edhe në favor të përvojës më të madhe që ofron i dyti. Sakaq dilema edhe për mesfushën. Krymi mendohet të luajë në rolin e tij ndërsa më përpara mendohet të luajnë Vucaj e Hasani. Sakaq, Lika mund të luajë në të djathtë ndërsa Çinari në të majtë. Në majë të sulmit deri në këto momente, Atsina është më i avantazhuar sesa i sapoardhuri Ribaj dhe për këtë arsye, ganezi mund ta nisë nga minuta e parë. Gjithsesi, deri të dielën shumë gjëra mund të ndryshojnë.
© shkodrasport.com