Ndeshja e pasdites së sotme ndaj Tiranës konsiderohet shumë e rëndësishme në kampin e Vllaznisë sepse do të përcaktojë jo pak gjëra sa i takon ecurisë së mëtejshme të saj në kampionat. Trajneri Cungu është shprehur dje se për këtë takim, diçka pozitive është gatishmëria e thuajse të gjithë lojtarëve dhe kjo i ka bërë të mundur atij të përzgjedhë formacionin më të mirë. Megjithatë, nuk pritet të ketë shumë ndryshime në krahasim me ndeshjet e fundit. Në portë do të jetë sërish Selimaj i cili me paraqitjet e mira që po bën, ka ulur në stol Agoviç dhe do të jetë titullar edhe në ndeshjen ndaj bardhebluve. Në mbrojtje do të luajë Gocaj në të djathtë, Bicaj dhe Vrapi në qendër dhe Pjeshka në të majtë. Siç shikohet, ndonëse është rikuperuar nga dëmtimi që ka patur, mbrojtësi malazez Cicmil është sërish në stol. Edhe në qendër të mesfushës nuk do të ketë asnjë ndryshim. Me treshen Krymi- Bardulla- Tafili që jo vetëm do ketë për detyrë të thyejë aksionet e kundërshtarit por dhe të nisë manovrën sulmuese të skuadrës së tyre. Në dy krahët do jetë Shtubina në njërin ndërsa në tjetrin ka një dilemë. Atë se kush do të luajë në të djathtë, Kalaja apo Çinari. Stafi teknik në takimet e fundit ka provuar herë njërin dhe herë tjetrin dhe për këtë arsye, mbetet për t’u parë se kush do të jetë sot në fushë. Në majë të sulmit ndërkohë që do të luajë Bakaj. Ai padyshim që do ketë një rol të rëndësishëm në këtë takim dhe jo më kot, të gjithë presin shumë prej tij megjithatë mbetet për t’u parë. E rëndësishme është që Vllaznia do të kërkojë të mos dalë pa pikë nga takimi i sotëm me Tiranën.