Java e 15 e Kategorisë Superiore, ngriti siparin me derbin mes Partizanit dhe Tiranës dhe natyrisht ishte kartolinë për kampionatin shqiptar duke marrë parasysh atmosferën që u krijua në stadiumin “Air Albania”. Ashtu si edhe në javët e mëparshme, rezultatet surprizë nuk kanë munguar as këtë javë.
“VipSport.al” ka përzgjedhur formacionin ideal duke u ndalur te paraqitjet e futbollistëve që kanë bërë diferencën në fushën e lojës jo vetëm me golat e tyre. Një rreshtim që tregon disa emra të cilët po bëhen gjithnjë e më shumë të rregullt mes më të mirëve të këtij edicioni në Superiore, pavarësisht pozitave që mbajnë skuadrat e tyre.
Protagonistët:
Shpëtim Moçka – Flamurtari / Me një mbrojtje që fut ujë nga të gjitha anët, Moçka shpesh po detyrohet që të bëjë punë ekstra për të mbajtur rrjetën të paprekur. Nëse Flamurtari mori një pikë ndaj Bylisit është edhe meritë e tij, pasi shpesh zgjidhi situata shumë problematike duke riorganizuar repartet.
Dajan Shehi – Vllaznia / Tre pikët e fituara nga Vllaznia në Korçë kalojën edhe nga këmbët e mbrojtësit i cili me Malotën ka krijuar një dyshe solide. Shpesh Bregu e Krasniqi u detyruan të përplaseshin te ai duke mos arritur të shkonin në gjuajtjen drejt portës e cila rezistoi e paprekur deri ën fund.
Gentian Muça – Tirana / me të në formacion Tirana është një skuadër tjetër. Jo vetëm për qetësinë që i jep shokëve të repartit, pro edhe për sjelljen prej lideri në fushë, Ndoshta nuk është ende në 100% të tij, por kjo kaloi në plan të dytë në derbi, ku ishte ndër të parët që sakrifikonte për çdo top.
Aleksandar Ignjatoviç – Laçi / Iu desh pak kohë për t’u ambientuar me Shqipërinë, por tani është i pazëvendësueshëm në prapavijën e kurbinasve e cila ka pësuar vetëm 2 gola në 7 ndeshjet e fundit në kampionat, në mungesën e Gjonit ka qenë ai që ka mbajtur barrën më të rëndë mbi supe, e tani me kthimin kapitenit po kontrollon mëme qetësi zonën e tij para Stazhillës.
Besar Musolli – Kukësi / kthimi i tij ën qendër të mesfushës ka normalizuar lojën e skuadrës. Pasime, rikuperime, e sidomos qetësi për ata që luajnë para që të tregojnë talentin e tyre. Me Musollin në fushë Kukësi është ndryshe dhe te Teuta e kuptuan shumë mirë këtë në duelin e kësaj fundjave.
Idriz Batha – Tirana / Shënon një gol të rëndë në derbi, këtë herë si një kundërshtar i skuadrës ku jo shumë kohë më parë mbante shiritin e kapitenit. I pari nga Superiorja që shënon në stadiumin e ri, për mesfushorin e Tiranës nuk kishte derbi më të bukur se ky.
Vinful Kobina – Tirana / Një gol që vendos derbin në minutën shtesë të ndeshjes do ta ëndërronte gjithkush. I vetmi i mbijetuar nga afrikanët e shumtë që provuan bardheblutë në vitet e fundit tregoi se ky vendim i klubit nuk ishte rastësi. Vrap, grinte e në fund edhe një devijim, aq sa duhet për të hyrë në histori. I pari lojtar që duartroket pas kartonit të kuq.
Ndricim Shtubina – Vllaznia / Po kthehet edhe në radhët e shkodranëve lojtari vendimtar që kishte shkëlqyer për dy sezone në Laç. Goli me roveshatë tregon aftësitë teknike, por sidomos se di të bëjë gjënë e duhur atëherë kur duhet.
Teldiano Teko – Laçi / E filloi sezonin me hapa të ngadaltë por ndeshje pas ndeshje po kthehet në lojtar vendimtar. Braziliani ka fituar më shumë besim dhe përveç shpërthimeve të zakonshme në krah, po i afrohet më shumë portës duke qenë një armë më shumë për ofensivën e skuadrës së Cungut, siç e tregojnë dy golat e kësaj fundjave.
Vasil Shkurtaj – Kukësi / Shënon dy gola me penallti ku njërën prej tyre e fiton vetë por me shumë polemika. Këtë sezon duket se luan më shumë për skuadrën sesa në sulm dhe shpesh herë shihet duke rikuperuar topa në mesfushë dhe duke ndihmuar ekipin me pasime dhe për të dalë para portës. Në 2 ndeshjet e fundit ka shënuar 3 gola.
Saliu Guindo – Bylis / Bylisi e ka gjetur sulmuesin e golit dhe kundër Flamurtarit shënon dy gola në dy mundësitë që i jepen. Është gjakftohtë para portës dhe pikë orientimi për pjesën tjetër të skuadrës, duke marrë parasysh edhe faktin se kishte mungesa të shumta dhe është një skuadër relativisht e re.