Në 16 vite karrierë, ka përjetuar gjithçka. Dhe pa frikë mund të themi se Mirel Josa është “ekspert” në fitimin e trofeve.

Dhe 5 tituj kampionë, 2 Superkupa dhe 1 Kupë Shqipërie, janë dëshmia më e mirë. Për këtë të fundit nuk krenohet fort ndoshta, pasi erdhi në vitin më të errët te Tirana, e megjithatë arritjet e tij nuk mund të zhbëhen. Që prej 2003-shit kur nisi rrugëtimin si trajner, ka stërvitur një duzinë me lojtarë.

Në duar ka pasur “yje” dhe domosdo, derisa në shumicën e rasteve ka marrë edhe trofe. Por kur Mirel Josës i kërkohet që të “skicojë” formacionin më të mirë, fillimisht heziton: “Është pak e vështirë, por më jepni pak kohë…”.

(Formacioni “tip”, i skicuar në letër prej vetë Mirel Josës.)

Por insistimit të gazetës, 56-vjeçari nuk i dha një “jo”. Përkundrazi, mori një letër dhe na solli 11-shen më të mirë që ka drejtuar ndër vite. “Në portë është Shehi, në mbrojtje nga e majta në të djathtë kjo katërshe: Arapi, Jashanica, Dede e Ademir. Mesfusha me Shkëmbin dhe Orelesin e Lilajn në krahë, ndërsa në sulm zgjedh Sinanin të mbështetur nga Salihi dhe Muka”, thekson Josa, teksa bën përzgjedhjen e tij.

Siç e shikoni, pjese e ketij formacioni jane edhe dy futbolliste shkodrane, Vioresin Sinani dhe Hamdi Salihi dhe vertete qe e meritojne sepse kemi te bejme me dy prej lojtareve me cilesore te dy dekadave te fundit.

Shumë të huaj ka trajnuar duke filluar nga Tirana, Vllaznia, Skënderbeu apo edhe Prishtina, por vetëm një do ta veçonte ndër të tjerë. Bëhet fjalë për lojtarin që i ka shënuar edhe Interit pak kohë më parë në Champions dhe po shkëlqen te Slavia e Pragës: “Peter Olainka, pa dyshim”.