Vllaznia po mundohet të formojë një skuadër të re dhe përveç largimeve, kanë bërë maksimumin që të ketë afrime të tjera të paktën para ndeshjeve të Kupave të Europës. Daljet zyrtare kanë qenë të shumta, duke nisur nga kapiteni Gurishta, Marku, Latifi, Hoxhaj, Nunesh, Aralica, Shehi, Kruja, Heriç, Bulatoviç dhe Zogoviç, me një pjesë të tyre të cilët në fakt nuk ishin as në planet e stafit të ri teknik dhe trajnerit Migen Memelli.

Ndërkohë, në skuadër janë afruar futbollistë si Ildi Gruda, Eslit Sala, Darko Dodev, Konstantin Cheshmedjiev, Redon Dragoshi dhe Milos Stojanoviç. Gjithsesi, deri në ditët e fundit drejtuesit duket se nuk do të vendosin “armëpushim” në merkato dhe nuk përjashtohen të tjera marrëveshje.

Te Vllaznia kanë punuar të përforcojnë mbrojtjen dhe krahët e sulmit, duke mos patur fare ndërhyrje në mesfushë, të paktën deri më tani. Kuqeblutë nuk kanë afruar futbollistë me peshë, por sipas tyre me shumë dëshirë për të punuar.

Ndërkohë, nëse do ta rendisinim Vllazninë sipas rreshtimit të preferuar të Migen Memellit, do të kishte pamjen e një skeme 3-4-3, të paktën me afrimet e deritanishme. Kështu, në portë do të jetë Qarri.

Në mbrojtjen me tre, Stojanoviç, Juriç dhe Cheshmedjiev. Në mesfushë nga krahët Smajli dhe Hakaj, ndërsa në qendër të saj Boshnjaku dhe Alivoda. Në sulm Mala nga e djathta, Dodev nga e majta dhe Balaj në majë. Ky është formacioni i mundshëm i Vllaznisë së Migen Memellit për ndeshjet e Europës me afrimet e deritanishme. /Maringlen ZHIVANI/

Vllaznia (3-4-3): Qarri, Stojanoviç, Juriç, Cheshmedjiev, Smajli, Boshnjaku, Alivoda, Hakaj, Mala, Balaj, Dodev Tr: Migen Memelli