Formacioni fitues nuk ndryshohet dhe duket se i këtij mendimi është edhe trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdariç. Gjermani ka drejtuar seancën e fundit stërvitore ditën e premte para ndeshjes me Dinamon. Ku shkodranët do udhëtojnë drejt Elbasanit, për t’u përballur me kryeqytetasit në një duel direkt për kreun.

Dhe nga seanca e fundit stërvitore, kuqeblutë nuk duket se do kenë ndryshime në 11-tshe krahasuar me duelin e fundit ndaj Bylis. Kështu në portë do jetë Jukaj, me portierin e ri që po shfaq rritje nga ndeshja në ndeshje. Edhe mbrojtja e cila ndihmoi në mbajtjen e portës së paprekur përballë Bylis nuk do ketë ndryshime.

Me Gurishtën djathtas dhe Jagon majtas, ku dyshja Stojanoviç-Bajrami kompletojnë repartin e prapavijës. Një mesfushë plot muskuj dhe forcë është ajo e kuqebluve. Ku treshja KrymiSala-Deliu tashmë mund të konsiderohen si të konsoliduar në formacion.

Me Kahrimanoviç i cili pavarësisht se shënoi në ndeshjen e fundit, do e nisë sërish nga stoli. Po ashtu edhe pjesa sulmuese e skuadrës shkodrane ngelet e pa ndryshuar, me Dodjan, Balajn dhe Malën që do udhëheqin ofensivën e skuadrës.