Një fotografi historike e vitit 1897, realizuar nga mjeshtri italo-shqiptar i fotografisë Pietro Marubi, hedh dritë mbi lidhjen e hershme të qytetit të Shkodrës me biçikletën. Në imazh shfaqen dy qytetarë shkodranë, Zef Çeka dhe Simon Deda, të cilët pozojnë krenarë me biçikletat e tyre – një dëshmi e qartë e dashurisë që Shkodra ka pasur ndër shekuj për këtë mjet transporti.

Shkodra, e njohur si djepi i kulturës dhe përparimit në Shqipëri, ka qenë ndër qytetet e para në Europë që ka përqafuar çiklizmin. Jo rastësisht, gara e parë çiklistike në vend, dhe e treta në kontinent pas Francës dhe Italisë, u zhvillua pikërisht në këtë qytet.

Pietro Marubi, i cili përdori teknika të avancuara për kohën si kolodiumi i lëngshëm dhe më pas xhelatina e thatë, ka lënë një pasuri të çmuar prej mbi 40,000 negativësh në xham. Trashëgimia e tij fotografike është një thesar kombëtar që ruan momente unike nga historia dhe jeta e përditshme shqiptare.

Kjo foto është më shumë se një kujtim; është një dëshmi vizuale e një qyteti që ka qenë gjithmonë një hap përpara në stil jetese dhe modernizëm.