Viti 2020 do të shohë emra të rinj në majë të listave të futbollit botëror. Për këtë janë të bindur ekspertët e “Transfermarkt” të cilët me përditësimet e fundit të vlerave të kartonëve të futbollistëve në fundviti kanë parashikuar largimin e emrave të zakonshëm që kishin dominuar vitet e fundit këtë lloj statistike.

Me 19 lojtarë të cilët kushtojnë tashmë sipas ekspertëve të këtij portali 100 milionë euro apo më shumë, në kreun e renditjes është një 21-vjeçar. Kilian Mbape nis vitin 2020 si futbollisti më i shtrenjtë në botë, i vlerësuar 200 milionë euro nga portali i njohur.

Pas tij është Rahem Sterling me vlerësimin 160 milionë euro, pas vitit mbresëlënës me Mançester Sitin dhe Anglinë, ndërsa ka pësuar rënie vlera e kartonit të Nejmar, i cili po ashtu vlen 160 milionë euro.

Larg podiumit, vetëm në vendin e 8 gjendet Lionel Mesi, ai që dominonte bashkë me Kristiano Ronaldon për shumë vite këtë kategori. Vlera e tij tanimë llogaritet 140 milionë euro, ndërsa portugezi 34-vjeçar është zhdukur nga “elita” e lojtarëve më të vlerësuar.

Tani “Transfermarkt” përllogarit vlerën e tij në treg vetëm 75 milionë euro, aq sa mjaftojnë për vendin e 37-të të cilin e ndan me emra si Kulibali, Lukaku, De Ligt apo Ikardi. /vipsport/