Sporti për shkodranët është diçka shumë e rëndësishme. Një pjesë e mirë e ndjekin atë nga shkallët e stadiumit, të pallatit të sportit apo e ndjekin në mënyra të tjera. Por ka edhe shumë të tjerë që janë protagonistë duke e ushtruar atë.
Rasti i familjes “Kraja” është i veçantë. Ermali është trajner i ekipit të të rriturve të volejbollit të Vllaznisë. Ingridi, bashkëshortja e tij, luan basketboll po me këtë ekip. Ingrid Dashja (Kraja) njëkohësisht është edhe kapitenia e këtij ekipi.
Ditën e sotme çifti e ka patur shumë të ngarkuar teksa kanë luajtur të dy në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” ndeshjet e tyre të rradhës. Por interesant është fakti se për ta ndjekur babin duke drejtuar ekipin e volejbollit në fitoren ka qenë edhe djali i tij, nën shoqërinë e mamit.
Me të përfunduar ndeshja, ato kanë zbritur në parket dhe interesant është fakti se ndonëse në fushë ishte e vendosur edhe rrjeta e volejbollit, djali i vogël është afruar tek koshi i basketbollit.
Mbase e ardhmja e tij do të jetë në këtë sport, por është herët për të menduar për këtë gjë. E rëndësishme është që të merret me sport, nuk ka rëndësi nëse zgjedh basketbollin apo volejbollin, por nuk përjashtohet mundësia që të merret edhe me futboll.
© shkodrasport.com