Një foto që flet vetë. E kemi shkëputur nga libri i sapodalë në treg i të mirënjohurit Besnik Dizdari me titull “Sabah Bizi…dhe brezi i tij”. Një foto e cila ka si protagonistë të saj tre figura që kanë lënë gjurmë në sportin e këtij qyteti dhe jo vetëm atij.

Ajo i përket vitit 1972, pikërisht momenteve të festës pasi Vllaznia fitoi Kupën e Shqipërisë pas gjuajtjes së 11-metërshave ndaj Besës ku u shquan Rragami në gjuajtjet dhe portieri Ndoja në pritjet e tyre.

Në të janë dy prej protagonistëve të këtij suksesi dhe njëkohësisht dy prej më të mëdhenjve të futbollit shqiptar, Ramazan Rragami dhe Sabah Bizi dhe në mes të tyre një tjetër personazh i njohur.

Bëhet fjalë për Bahri Axhemi, kryetarin e Komitetit të Kulturës Fizike e Sporteve në Shkodër në ato vite, i cili ka qenë një promotor i vërtetë i arritjes së sukseseve për të gjitha ekipet e Vllaznisë.

Axhemi duke mbajtur këtë pozicion, ka qenë gjithmonë pranë sportistëve duke iu plotësuar shumë kushte për punën, shkollën, banesën a gjëra të tjera që kanë patur të bëjnë me jetën e tyre, vetëm e vetëm që të luanin me përkushtim dhe t’i jepnin trofe Vllaznisë dhe Shkodrës.
© shkodrasport.com