Nëse ka futbollist i cili mund të quhet “zbulimi” i vërtetë i Vllaznisë në këto vitet e fundit, ai padyshim që është Ardit Krymi. Sot është vetëm 22 vjeç por i duket se ka një jetë të tërë që luan me ekipin e parëtë kuqebluve. Ka qenë vjeshta e vitit 2014 kur ai debutoi me këtë ekip, pikërisht pas insistimit të ish-trajnerit Baldo Raineri që e mori nga ekipi U19 dhe menjëherë në formacion.

Përbën madje të vetmin rast që ka ndodhur kështu prej gjithë këtyre viteve. Dhe Krymi nuk ka zhgënjyer aspak. Që prej atij momenti dhe deri më sot është gjithnjë titullar në formacionin e Vllaznisë dhe kur ai mungon, duket vërtetë një “gropë” e madhe në mesfushë.

Jo më kot, pavarësisht moshës së tij, mban edhe postin e zëvendëskapitenit të ekipit dhe në mungesë të kapitenit Lika, ka qenë ai që ka mbajtur shiritin.

Por kjo nuk ka ardhur rastësisht. Por ajo që po ju zbulojmë sot është se ky lojtar ka qenë lider që kur luante me Akademinë. Fotot e sotme i përkasin vitin 2011, kur Arditi luante me ekipin U17 të Vllaznisë dhe mbante që atëherë shiritin e kapitenit, pra që në moshën 15 vjeçe. Në njërën prej fotove duket edhe arbitri i sotëm i FIFA-s Eldorian Hamiti.
© shkodrasport.com