Emocionet që të dhuron futbolli janë të mëdha. Qoftë ato pozitive por edhe negative. Shkodranët kanë gëzuar në shumë raste, por ka patur edhe jo pak momente kur janë hidhëruar. Rastësisht nga arkiva e “Shkodra Sport” nxorëm këtë foto. I përket 16 viteve më parë, saktësisht datës 16.02.2002.
Bëhet fjalë për një ndeshje çerekfinale të Kupës së Shqipërisë Vllaznia- Elbasani që luhej në “Loro Boriçi”. Në foto janë ish-trajneri i asaj kohe Astrit Hafizi me ndihmësin e tij, të ndjerin Esat Rakiqi duke këshilluar futbollisët. Aty janë Elvin Beqiri, Oltion Osmani, diku më tej Admir Teli, Skerdi Bejzade etj.
Ndeshja e parë në Elbasan ishte fituar nga vendasit 2-0. Në të dytën, ishte Vllaznia që fitoi 2-0 falë golave të shënuar nga Osja dhe E. Dalipi. Në bazë të këtij rezultati, dy ekipet do të shkonin në shtesë për të përcaktuar ekipin që do të shkonte në gjysmëfinale dhe fotoja tregon pikërisht këtë moment, kur trajnerët u japin udhëzimet futbollistëve para nisjes së shtesës.
Për fat të keq, në atë ndeshje gjërat nuk shkuan mirë për Vllazninë sepse në ’99 Gentian Stojku do të shënonte për Elbasanin dhe do të ishin miqtë që do të kualifikoheshin.
Në kampin shkodran padyshim që kishte shumë zhgënjim dhe jo vetëm tek futbollistët e drejtuesit. Llogarit zhgënjimin tek tifozët e shumtë që ishin të pranishëm në shkallët e stadiumit.
© shkodrasport.com