Me fitoren e djeshme në Ligën e Kampioneve, Liverpuli i ka dhënë fund një pritje 14 vjeçare për të ngritur lart trofeun më të lakmuar nga klubet në Europë.

Skuadrës angleze e cila ka qenë një nga dominueset e të ashtuquajturës Kupa e Kampioneve në vitet 70’-80’ iu desh të priste shumë kohë për të fituar trofeun e radhës, në vitin 2005, e tashmë, edhe një tjetër në vitin 2019.

Në këtë mënyrë, klubi legjendar ka siguruar trofeun e tij të 6 në këtë turne, duke u ngjitur i vetëm në vendin e tretë të renditjes së klubeve me më shumë suksese. Në vendin e parë mbetet shumë i shkëputur Real Madrid, me 13 të tillë, ndërsa i dyti dhe i arritshëm është Milani me 7, i cili duket se për ca kohë nuk do të jetë në gjendje të luftojë për këtë trofe prestigjioz.

Liverpuli u shkëput nga Barcelona dhe Bajern Mynih, dy gjigantë të kontinentit, që e kanë fituar 5 herë kupën, ndërsa bie në sy fakti se tani kanë dyfishin e trofeve të fituar nga Mançester Junajtid i cili ka bërë 3 herë të vetën Ligën e Kampioneve./vipsport/