Interi nuk arriti të kalonte fazën në grupe të Ligës së Kampionëve për të dytin vit radhazi, ku përballë kishte Barcelonën që zbriste në fushë me të rinjtë e akademisë. Megjithatë, rastet e shumta që humbi Interi, i kushtoi në fund një humbje në shtëpi me rezultatin 1-2, duke i dhënë lamtumirën Championsit.
Ndërkohë, zikaltërit kanë edhe një mundësi për të luajtur në Europë dhe tashmë do të jenë pjesë e Ligës së Europës. Në këtë kompeticion, Interi gjen kundërshtarë si Roma, Mançester Junajtid, Ajaks apo edhe të tjera skuadra me emër. Ndërkohë, ky eliminim ka sjellë edhe shumë tallje në rrjetet sociale.
Romelu Lukaku është kryqëzuar për rastet e shumta që humbi në ndeshjen kundër Barcelonës, teksa talljet nuk kanë munguar as nga ish-shokët e skuadrës. Pak kohë më parë, Lukaku postonte një foto nga stërvitja me mbishkrimin “Champions League”, duke ironizuar me Junajtidin që luan në Europa League.
Ndërkohë, mbrëmë ka ardhur edhe reagimi nga Luk Shou i cili ka ripublikuar foton duke shkruar “Mirë se erdhe”, që i referohet faktit se do të ribashkohen në Ligën e Europës. /VipSport/