Eliminimi i Barcelonës ka qenë padyshim ngjarja më e madhe sportive në Europë duke qenë se avantazhin 3-0, Liverpuli arriti ta përmbyste duke fituar me shifrat 4-0. Paraqitja e “blaugranave” në ndeshjen e luajtur në Liverpul, është kritikuar ashpër nga mediat spanjolle të cilat e quajnë një turp të vërtetë këtë eliminim.

Kanë qenë gazetat më të mëdha në Spanjë, ato të cilat kanë kryqëzuar Barcelonën për këtë humbje e cila konsiderohet e turpshme dhe qesharake. “Marca” është hapur ditën e sotme me titullin “Dështim historik”, ndërkohë që “AS” me titullin “Rrufe në Anfield”.

Sakaq, “U skuqën” ka qenë titulli i ‘Mundo Deportivos’, ndërkohë që “Qesharakët më të mëdhenj në histori” ka qenë titulli me të cilin gazeta ‘Sport’ ka përshkruar paraqitjen e katalanasve.

Të shumtë kanë qenë edhe tifozët e Barcelonës të cilët kanë kërkuar largimin e trajnerit Valverde për këtë dështim, ndërkohë që nuk janë lënë pas as kritikat për Suarezin dhe Kutinjon të cilët duan që t’i shohin larg skuadrës së tyre. Barcelona synonte këtë vit tripletën, por duket se do të mjaftohet veç me titullin dhe me shumë mundësi, Kupën e Mbretit./vipsport/