Sa herë që Luftëtari mundet apo nuk merr rezultatet pritshme, tifozeria gjirokastrite pushton rrjetet sociale me kritika ndaj skuadrës e lojtarëve.
Por të njëjtët “tifozë” janë ata të cilët nuk bëjnë përpjekjet minimale për të mbështetur ekipin ashtu siç duhet të jetë, në stadium, duke paguar biletat për të dhënë edhe ata kontributin e tyre sado modest për të ndihmuar skuadrën.
Interesimi nuk është se mungon në Gjirokastër siç mund të mendohet kur sheh tribunat e boshatisura, përkundrazi. Janë të shumtë ata që duan të shohin skuadrën, thjesht preferojnë që ta bëjnë këtë nga jashtë stadiumit për të mos paguar.
Kjo shihej qartësisht sot në ndeshjen kundër Kukësit, ku tifozët kishin zgjedhur të qëndronin të shumtë jashtë impiantit e të kursenin paratë e biletave.
Ne ballkone, në tarracat e pallateve që e rrethojnë, apo edhe në rrugët në krah të stadiumit, tifozë kishte kudo. Kudo, përveçse në tribuna aty ku duhej të ishin.
Ndaj nëse ndonjë nga këto “tifozë” do të ketë pakënaqësi për rezultatin e sotëm, fillimisht të kujtohet se nga ku e ndoqi ndeshjen para se të flasë. /vipsport/