Nga Endri ÇINARI

Kampionati gjerman i futbollit ka mbyllur në fundjavën që lamë pas javën e 28-të të tij. Në një moment ku duhen 6 javë nga përfundimi i edicionit, Bayer Leverkusen duket i sigurtë drejt fitimit të titullit kampion. Kjo pasi i mjafton vetëm 1 fitore në 6 javët e ngelura për të thyer dominimin 11-vjeçar të vendosur nga Bayern Munchen.

Për tu rikthyer tek java e 28-të e Bundesligas, ashtu siç e ka përcjellur më parë “Shkodra Sport” protagonist ka qenë edhe Brajan Gruda. Sulmuesi që aktivizohet në rradhët e Mainz u prezantua si titullar në fitoren e fundit në shifrat 4-0 që skuadra e tij arriti kundër Darmstadt. Madje 19-vjeçari arriti të gjente golin për shifrat 2-0 në minutën e 60-të të ndeshjes kundër bardhebluve, raporton gazeta shkodrasport.

Performanca e shkodranit është vlerësuar jo vetëm nga stafi teknik i Mainz, por edhe ambienti i futbollit në Gjermani. Prestigjozja “Kicker”, një ndër mediat më të mëdha në Gjermani e ka vënë Gruden në formacionin e javës së 28-të të Bundesligas. Duke treguar kështu se ndeshja që mëngjërashi zhvilloi kundër Darmstadt ishte e një niveli të lartë.

Gruda cilësohet si një nga talentet më të mëdha në Gjermani dhe është pjesë e kombëtares u-21 të gjermanëve. Për të po “luftohet” shumë edhe nga ana e federatës së futbollit në Shqipëri, që në të ardhmen ai të veshë fanellën kuqezi dhe të përfaqësojë vendin e tij të origjinës./www.shkodrasport.com/